Fustani i nuses. Me qera apo blerje?
Një tjetër tematikë që ka lindur sidomos në vitet e fundit është ajo e fustanit të nuses. Ja vlen ta blesh apo ta marrësh me qera për ditën/ët e dasmës? Duke qenë se çmimet e fustaneve të nuseve me qera i afrohen gjithmonë e më shumë atyre të shitjes, vajzat priren të zgjedhin një fustan të cilin të mund ta mbajnë kujtim e ta lënë në trashëgimi duke e blerë. Sigurisht marrja e fustanit me qera të kursen në mund sepse nuk je e detyruar ta çosh në pastrim kimik mbas dasmës apo të bëhesh merak se ku mund ta ruash për vite me rradhe por një fustan i blerë mbetet i yti e mund të vendosësh ta shesësh apo t’ia trashëgosh vajzës apo mbesës ose thjesht ta mbash kujtim.
Sido që të jetë zgjedhja juaj fustani që zgjidhni duhet t'ju përfaqësoj në tërësi e duhet ti përshtatet jo vetëm trupit por edhe karakterit tuaj e festës.
Sot tashmë ekzistojnë mijëra modele. Nëse e merrni me qera mund të zgjidhni ndër modelet më të fundit, ndonëse çmimi që do të paguani mund të jetë si ai i një fustani të blerë. Ndërkohë që nëse zgjidhni ta bleni mund të lëkundeni nga ata me çmime më të ulta që i përkasin koleksioneve të mëparshme tek ata të koleksioneve të fundit me çmim pak më të lartë. Zgjedhja është gjithsesi shumë individuale dhe secila vajzë vendos në bazë të “xhepit” të vet apo të familjes e cila iu vjen në ndihmë.